Site icon Telegrafi

Kurti udhëtoi drejt Athinës, pritet të zhvillojë disa takime pas darkës së ftuar nga homologu grek

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë ka udhëtuar drejt Athinës ku do të marrë pjesë në darkën joformale të ftuar nga homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Athinë ku do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis me liderët e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut”, tha ai.

Lexo po ashtu Kurti sot në Greqi, merr pjesë në darkën joformale për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor

Kryeziu bëri të ditur se Kurti, gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë edhe disa takime për të cilat u shpreh se opinioni do të njoftohet me kohë.

Agjencia greke e lajmeve ANA-MPA, ka njoftuar se në darkën joformale do të marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ai i Malit të Zi Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacheski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo.

Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet në këtë takim, për shkak të agjendës së paracaktuar. /Telegrafi/

Exit mobile version