Me rastin e 12 qershorit, 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti, organizuan pritje shtetërore për korin diplomatik të akredituar në Kosovë dhe mysafirë të tjerë të shumtë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi në fjalën se tij se 12 qershori është datë e rëndësishme që erdhi pas një përpjekje e lufte për çlirim, vetëvendosje e pavarësi.
Ai tha se shpërbërja e Jugosllavisë filloi në Kosovë dhe solli edhe fundin e okupimit të Serbisë.
Kryeministri Kurti u shpreh se demonstratat e studentëve e grevat e minatorëve u shndërruan në lëvizje popullore.
“U udhëhoqë kjo lëvizje nga intelektualë, shkrimtarë e disidentë e ish të burgosur politik që u bën përfaqësues të luftës çlirimtare”, tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se çlirimi erdhi pas shumë dhimbjeve, humbjeve e vuajtjeve të Kosovës, pas sakrificës së familjes Jashari e luftës së UÇK-së e masakrave, që u ndalua nga aleanca më e madhe ushtarake e botës demokratike dhe njerëzimit, NATO.
“Historia e popullit shqiptar është e mbushur me heronj e heroina e ku nën çdo okupim e shtypje, kishte kryengritje për çlirim e pavarësi’, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.
Ai më tej u shpreh se populli ynë është Ilir për nga rrënjët dhe i lirë për nga qenia.
“E duam fort lirinë, e duam edhe për të tjerët e jo vetëm për vete sepse siç thotë presidenti amerikan Abraham Lincoln, ata që ua mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë atë për vete”, tha kryeministri.
Kurti tha se luftërat në ish Jugosllavi, të ndezura e të prira nga Serbia e Slobodan Millosheviqit dhe e rrethit të tij të errët, shkaktuan gjenocide dhe krime kundër njerëzimit më të llahtarshëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai tha se sikurse popujt liridashës kishin forcat e tyre të rezistencës, shqiptarët në Kosovë kishin UÇK-në.
Kryeministri Kurti më tej tërhoqi paralele me zbarkimin e trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore me atë të zbarkimit me 11 e 12 qershor 1999, të forcave britanike, amerikane, kanadeze, norvegjeze e të tjera në Kosovë.
“Distanca e saktë në muaj e kohë nga qershori në qershor nga viti 1944 në qershor 1999, ishte 55 vjet”.
Kryeministri Kurti falënderoi NATO dhe vendet e anëtare të saj për sic u shpreh “që na u bashkuat në përpjekjen tonë të gjatë për liri”.
“Ju faleminderit që iu bashkëngjitët rrugëtimit tonë për liri, asaj rruge të skuqur nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve dhe artikuluar me UÇK-në, lufta e drejtë e së cilës nuk mund të njollosët dhe as të shpërfytyrohet sepse ajo e ka vetëm një fytyrë, e kjo është fytyra e lirisë”.