Telegrafi

Kurti: U vërtetua se zgjedhjet ishin referendum, nuk do të hakmerrem ndaj askujt

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e LVV-së, Albin Kurti pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit iu është drejtuar mbështetësve me një fjalim.

Kurti ka thënë se u vërtetua se zgjedhjet ishin një referendum për drejtësi.

“Ky referendum për drejtësi e punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit do të mbahet mend gjatë.

Ai tha se kjo ditë do të kujtohet për rreshtat e gjatë të qytetarëve pranë shkollave dhe për votimin masiv nga mërgata.

“Kjo fitore do të mbahet mend nga gjeneratat që do të vijnë si dita kur populli tejkalojë ndarjet, përçarjet dhe politikanët. Foli me një zë dhe morri fatin e vet në duart e veta. Kjo ditë e zgjedhjeve do të mbahet mend për shumë gjë, për rreshtat e gjatë të qytetarëve pranë shkollave që prisnin radhën për të votuar në acarin e dimrit. Do të mbahen mend për votimin masiv në postë, për aeroplanët, autobusët, e veturat nga mërgata, e për mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetarëve që hapën dyert e shtëpive dhe u mobilizuan për të sjell ndryshimin”, ka deklaruar Kurti.

I pari i partisë fituese tha se në mandatin e ardhshëm qeverisës nuk do të hakmerren ndaj askujt, por do të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi kudo.

“Rruga përpara është e gjatë, do të kemi pengesa dhe do të bëjmë një gabim, por qëllimin e kemi të mirë e fisnik dhe unë do të jem çdo herë i hapur me ju dhe përherë do të argumentojmë dhe arsyetojmë çdo vendim. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit e kujtdo. Pra, drejtësi, pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për LVV-në. Kjo është fitorja juaj, prandaj edhe ndryshimi na takon secilit prej nesh. Secili nga ne duhet të marrë përgjegjësinë që na takon, që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë”, ka deklaruar ai.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se do të punojnë pa inate, pa korrupsion dhe për drejtësi institucionale e sociale.

“Pa inate, pa revanshizëm në qeverisje, pa ryshfet dhe pa haraç në biznese, pa korrupsion dhe nepotizëm në administratë, me drejtësi institucionale e sociale dhe me përgjegjësi individuale e reciproke edhe do ta zhvillojmë edhe do ta demokratizojmë vendin tonë. Shteti do të jetë dyshemeja e fortë sociale dhe kulmi i sigurt ambiental që ofron siguri dhe mundësi për të gjithë pa dallim, ku secili zhvillon potencialin dhe talentin e tij”, tha Kurti.

Ai është pyetur edhe se a ka ndryshuar mendim për kandidatin e tyre për president.

“Asgjë nuk ka ndryshuar, unë sapo i thash presidente. Presidentja Vjosa Osmani, presidentja Vjosa Osmani, a është në rregull”, tha ai.

Kurti ka falënderuar qytetarët, komisionarët dhe vëzhguesit, të cilët sipas tij mundësuan proces zgjedhor me integritet, por nuk la pa falënderuar edhe mërgatën.

“Falënderojë edhe oponentët politikë për një garë fer dhe pa incidente dhe ju urojë një reformë të suksesshme, sepse demokracia jonë ka nevojë një opozitë mirëfilltë që mban në kontroll pushtetin. Nesër fillon një ditë e re, kjo fitore madhështore është vetëm mundësia që të fillojmë ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë, pasi vendi është në krizë të shumëfishtë”, tha Kurti.

Ndërsa, Vjosa Osmani, kandidate e VV-së për presidente, ka thënë se fitorja e thellë e listës së saj të përbashkët me VV-në, duhet të jetë mësim për ish-partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitë tjera.