Site icon Telegrafi

Kurti u prit në takim nga Komisioneri i BE-së për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, flasin për reformat në bujqësi

Albin Kurti, on the left, and Janusz Wojciechowski

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, u prit në takim nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Janusz Wojciechowski.

Kryeministri Kurti theksoi se bujqësia zë vend të rëndësishëm në programin qeverisës.

“Delegacioni i udhëhequr nga kryeministri Kurti prezantoi planet e Qeverisë për reforma në bujqësi, që për qëllim kanë ngritjen e prodhimit, cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, si dhe ringjalljen e fshatit. Ai shtoi se Qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian në planifikimin e fondeve IPA, në mënyrë që ato të jenë në harmoni me programin e qeverisë dhe kërkesat e vendit tonë për bujqësi. Kryeministri po ashtu kërkoi mbështetje nga komisioneri Wojciechowski për të përshpejtuar qasjen e Kosovës në instrumentin e para-anëtarësimit për zhvillim rural (IPARD)”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e Kryeministrit.

Tutje, në njoftim thuhet se “komisioneri Wojciechowski konfirmoi mbështetjen për përpjekjet e Kosovës për harmonizim të legjislacionit që rregullon bujqësinë dhe zhvillimin rural, sigurinë e ushqimit, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e bimëve, si dhe për të vendosur procedurat e duhura të monitorimit dhe kontrollit”.

Albin Kurti, on the left, and Janusz Wojciechowski

 

Exit mobile version