Kryeministri Albin Kurti u ka kërkuar falje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri” në Obrançë të Podujevës për ekuacionin e zgjidhur nga ai në matematikë.
Kurti, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, shprehet se tash është i gëzuar që nuk ishte nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrte notë kaluese.
“Ju faleminderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese”.
“Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”, ka shkruar Kurti.
Albin Kurti sot ishte për vizitë në Podujevë, ku ishte i pranishëm në përurimin e dy shkollave në këtë komunë. /Telegrafi/