Site icon Telegrafi

Kurti thotë se do t’i ulë pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se do t’i ulë pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit.

Ish-kryetari i VV-së ka premtuar se pagat e zyrtarëve të lartë nuk do të jenë më shumë se dyfishi i pagës mesatare në Kosovë.

Përderisa pagat mujore në Kosovë sillen nga 130 deri në mbi 400 euro, deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të kenë pagë pesë herë më të lartë se paga mesatare e në vend.

E Kurti ka deklaruar se do t’i ulë pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit.

“Asnjë pagë e zyrtarëve të lartë nuk duhet të jetë më e lartë se dyfishi i pagës mesatare. Nëse politikanët duan paga më të mëdha, atëherë duhet ta rrisin pagën mesatare të qytetarëve”, ka thënë Kurti në bashkëbisedim me qytetarët në faqen e tij në Facebook, transmeton Insajderi.

Të 120 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 eurosh në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre. Për dy seanca gjatë muajit, ata marrin 240 euro.

Kurse, për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, fitojnë shtesa prej 160 eurosh.

Kështu, si tërësi, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh.

Exit mobile version