Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar rreth protestës së mbajtur sot kundër kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi.
Sipas Kurtit, shefi i Aleksandër Lumezit është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe se sipas tij, ata së bashku duhet të largohen, transmeton Telegrafi.
I pari i Vetëvendosjes ka theksuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot me sjelljet e tij para Komisionit hetimor parlamentar ka pranuar fajin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.
Shkrimi i plotë:
Ndërmjet tubimeve anembanë Kosovës kundër PANhajnisë sot kishim protestën kundër kryeprokurorit pa kryeaktakuza. Njëkohësisht, shefi i tij që është President, me sikletin komik dhe nervozizmin arrogant, paqëllimshëm e pranoi fajin për deportimin e paligjshëm të gjashtë shtetasve nga Turqia para Komisionit hetimor parlamentar.
Vazhdojmë me tubime dhe protesta… Ata bashkë janë, bashkë do të shkojnë.
Gjatë ditës së sotme, Vetëvendosje ka mbajtur protestë para ndërtesës së kryeprokurorit të shtetit.
Në protestë ishin një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrime të ndryshme si: “Pa drejtësi, nuk ka qetësi”, “Po drejtësisë, kundër hajnisë”, “ Lum e Zi”, “Me drejtësi kundër servilizmit”, etj.
Në protestë ishin edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti si dhe deputetë të kësaj partie si, Glauk Konujfca, Albulena Haxhiu, Fatmire Kollçaku etj. /Telegrafi/