Telegrafi

Kurti thotë se s’është në dijeni që ministrat po hetohen nga Task-Forca, Krasniqi e quan lajm të sponsorizuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të mërkurën se nuk është i informuar për hetimet që sic u raportua ditë më parë, po kryhen nga Task Forca anti-korrupsion për disa ministra.

“Betimi për Drejtësi” raportoi rreth dy javë më parë se kjo njësi e Policisë së Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë Kurti.

Bëhet fjalë për ministrat Elbert Krasniqi, Hekuran Murati, Rozeta Hajdari, Hajrulla Çeku, Donika Gërvalla si dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi.

“Nuk jam i informuar për këto hetime që po thuhet se po bëhen nga Task-Forca”, ka thënë shkurt kryeministri në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Lexo po ashtu Së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër në Qeverinë Kurti po hetohen nga Task Forca

E ky i fundit para gazetarëve ka thënë se nuk është ftuar nga asnjë organ hetues për intervistim, ndërsa lajmin e publikuar e ka cilësuar si të sponsorizuar.

“Gjithçka që ne dimë janë ato që po i kuptojmë në media, nuk kam informacione më shumë mbi ato hetime potenciale. Këtë e kam kuptuar nga një portal. Kam bërë edhe një reagim publik për këtë situatë”, ka deklaruar Krasniqi.

“Ajo që mund të them për këto hetime përpos gjyqit publik që po na bëhet neve ministrave, është që unë nuk kam pranuar asnjë ftesë e asnjë informacion shtesë nga asnjë organ hetues. Një media ka bërë një lajm të sponsorizuar e as nuk e ka marrë mundin të më pyes se cili është mendimi apo qëndrimi im rreth kësaj”.

Lexo po ashtu Ministri Krasniqi reagon pas raportimeve se po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Tutje, ministri është shprehur se nga mediat e ka kuptuar që bëhet fjalë për financimin e Kuzhinave Humanitare.

“Si qeveri jemi shumë të lumtur dhe krenar që kemi pasur mundësi t’i mbështesim këto Kuzhina Humanitare. Por, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal nuk i ka financuar e as mbështetur ato për shkak se ne jemi të orientuar kah komunat e Kosovës. Kjo bëhet nga Ministria e Financave dhe për shpërndarjen e mjeteve për këto Kuzhina Humanitare ka ekzistuar një komision profesional, sigurisht jo politik”, ka thënë tutje Krasniqi. /Telegrafi/