Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar telefonatë me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Siç njofton Kurti në Twitter, është biseduar për takimet në Bruksel dhe rëndësinë për një marrëveshje me njohje reciproke.
“Përpara diskutimeve në Bruksel, pata një telefonatë produktive me të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, duke theksuar nevojën për një marrëveshje të përqendruar në njohjen reciproke dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, tha Kurti.
Ndryshe, pas më shumë se një viti, Kurti dhe Vuçiq, më 18 gusht do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Arsyet pse Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takime në kuadër të dialogut kanë të bëjnë me atë që BE-ja e ka quajtur “mungesë të gatishmërisë dhe vullnetit të palëve për të arritur përparim konkret në dialog”.
Në BE ende nuk kanë bërë të ditur për agjendën e takimit të 18 gushtit. Por, Kurti ka deklaruar se në këtë takim nuk do të flasë për vendimet e Qeverisë së Kosovës, për targat dhe dokumentet serbe.
Ndërkaq, në Beograd insistojnë që temë e dialogut të jetë krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015, në kuadër të dialogut. Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik, ndërkaq së fundmi, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur qëndrimin se për Asociacionin duhet të nisin diskutimet, por ai nuk duhet të krijojë një “shtet brenda shtetit”./Telegrafi/
Ahead of discussions in Brussels, I had a productive phone call with ?? Special Envoy to the Western Balkans Sir Stuart Peach, emphasizing the need for an agreement centered on mutual recognition and good neighborly relations.
— Albin Kurti (@albinkurti) August 16, 2022