Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ai i MKRS, Hajrulla Çeku, e kanë pritur në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori.
Në njoftimi thuhet se gjatë takimit Mitsunori shprehu dëshirën dhe synimin e Japonisë për thellimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti e falënderoi për ndihmën e vazhdueshme të Japonisë dhënë Kosovës.
Ai vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale duhet të thellohen në të gjitha fushat, ndërsa duhet të fillojë një kapitull i ri i bashkëpunimit ekonomik, me fokus në fushën e teknologjisë së informacionit, marrë parasysh potencialin e rinisë në Kosovë si dhe bashkëpunimin me diasporën.
Kryeministri Kurti dhe Mitsunori u pajtuan për organizimin e përbashkët të një seminari virtual biznesi për të tërhequr bizneset e Japonisë.
Ata biseduan edhe për sukseset e sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për Lojërat Olimpike në Tokio, në të cilat kryeministri Kurti tha se do të jetë i pranishëm.