Site icon Telegrafi

Kurti takon të ngarkuarin me punë të Malit të Zi në Kosovë, flasin për bashkërendim rreth iniciativave rajonale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të ngarkuarin e ri me punë të Republikës së Malit të Zi në Kosovë, ambasadorin Mirsad Biboviq.

Gjatë këtij takimi ata kanë folur për marrëdhëniet mes dy shteteve, ndërkaq kryeministri e uroi ambasadorin për pozitën e re, duke i ofruar bashkëpunimin e Republikës së Kosovës dhe Zyrës së Kryeministrit në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.

Sipas komunikatës për medie në këtë takim u bisedua për situatën me pandeminë në të dy vendet dhe “përpjekjet që po bën Qeveria e Kosovës për të menaxhuar sa më mirë gjendjen e rënduar gjatë muajit gusht me variantin Delta”.

“Kryeministri foli për projekte të përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afronin qytetarët e të dy vendeve dhe do të ndihmonin ekonominë. Ai ofroi bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi në iniciativat rajonale, duke e falënderuar Malin e Zi për përkrahjen dhe mbështetjen për integrimet euro atlantike dhe evropiane”, thuhet në komunikatë.

Kurti theksoi se Kosova dhe Mali i Zi ndajnë aspirata të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe janë partnerë në përpjekjet e përbashkëta për demokratizim dhe zhvillim të rajonit.

“Ambasadori Biboviq e përgëzoi kryeministrin për programin qeveritar, duke i uruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët. Ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe angazhimin për thellimin e tyre, si dhe ofroi përkrahjen e Malit të Zi në forumet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version