Telegrafi

Kurti takon nobelistin Mukwege, dakordohen që rastet dhunës seksuale duhet të trajtohen me prioritet nga Prokuroria Speciale

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, deputeten e legjislaturës së re, Saranda Bogujevci dhe Drejtuesen e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në Lëvizje, Nazlie Bala, kanë takuar doktorin Denis Mukwege i cili në vitin 2018, për përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë lufte, Komiteti Norvegjez i Nobelit e shpalli fitues të çmimit Nobel për paqe.

Në një postim në faqen zyrtare të LVV-së në Facebook thuhet se në këtë takim me doktor Mukwege, Kurti ka bashkëbiseduar për rëndësinë e trajtimit të krimeve të luftës, për nevojën e gjykimit të kriminelëve që enden të lirë, dhe për drejtësinë që do të sillte shërim të viktimave, si dhe paqe e qetësi në zemrat e gjithë atyre që janë prekur nga lufta dhe gjenocidi serb në Kosovë.

Ndër të tjera sipas njoftimit Kurti e njoftoi Mukwege me nismat e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë drejtim, mbledhjen dhe dorëzimin e dëshmive për kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë, si dhe për nismat që kanë shpier në formimin e Prokurorisë Speciale për hetimin e krimeve të luftës, dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që mundëson gjykimin dhe dënimin e kriminelëve në mungesë.

Sipas njoftimit Kurti dhe Mukwege ishim të mendimit se rastet e përdhunimeve duhet të trajtohen me prioritet nga Prokuroria Speciale dhe nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vënien e drejtësisë për ato raste.

“Me Dr. Mukwege bashkëbiseduam për rëndësinë e trajtimit të krimeve të luftës, për nevojën e gjykimit të kriminelëve që enden të lirë, dhe për drejtësinë që do të sillte shërim të viktimave, si dhe paqe e qetësi në zemrat e gjithë atyre që janë prekur nga lufta dhe gjenocidi serb në Kosovë. Kryetari Kurti i njoftoi ata me nismat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë drejtim, mbledhjen dhe dorëzimin e dëshmive për kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë, si dhe për nismat që kanë shpjer në formimin e Prokurorisë Speciale për hetimin e krimeve të luftës, dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që mundëson gjykimin dhe dënimin e kriminelëve në mungesë. 20 vite jemi vonë, andaj duhet të bëjmë çmos si shtet që t’i përshpejtojmë hetimet për rastet e tilla, e të sjellim drejtësi për gjithë ata që ende i vuajnë pasojat e krimeve.

Me z. Mukwege ishim të mendimit se rastet e përdhunimeve duhet të trajtohen me prioritet nga Prokuroria Speciale dhe nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vënien e drejtësisë për ato raste.”, thuhet në njoftim./Telegrafi/