Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një mbledhje me qendrat e saj ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Në këtë mbledhje morën pjesë edhe struktura tjera si sekretari organizativ, Alim Rama, nënkryetarja e dytë, Mrika Limani-Myrtaj, Koordinatori i Qendrave, njëherazi deputeti Salih Zyba, si dhe nga kabineti qeveritar të pranishëm po ashtu ishin ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, njëherazi sekretar për marrëdhënie me jashtë në LVV, si dhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.
“Në pjesën hyrëse, kryetari i Lëvizjes njëherazi Kryeministri Kurti dhe sekretari organizativ, Alim Rama, ngritën një mori çështjesh organizative, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punëve në dy nivelet organizative, në Pika dhe Qendra të Lëvizjes Vëtëvendosje”.
“Rëndësi e veçantë iu dha nxitjes dhe dinamizimit të aktiviteteve me bazë komunitetin, opozitarizmit në Kuvendet Komunale dhe në komuna në përgjithësi, anëtarësimeve të reja në qendra, e po ashtu edhe funksionalizimin e trupave organizative të brendshme zgjedhore”.
Sipas njoftimit të LVV, nga drejtues të qendrave po ashtu u ngritën dhe bashkëbiseduan çështje politike dhe organizative të rëndësishme për komunat prej nga vijnë.
Tek situata politike u diskutua mbi punët që po vijojnë dhe planifikimet e mëtutjeshme, për të cilat foli Kryeministri Kurti.
“Mbi zhvillimet rreth anëtarësimit të Republikës tonë në Këshillin e Evropës dhe çështjet tjera ndërlidhëse, folën edhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, si dhe ministri i MKRS, njëherazi sekretari për marëdhënie me jashtë në LV, Hajrulla Çeku”, thuhet tutje në njoftim./Telegrafi/