Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka takuar sot drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland dhe ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
Në njoftimin për media thuhet se Kurti dhe Hylan diskutuan për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet vendeve, bashkëpunimin në shumë fusha dhe tema e çështje.
“Një prej tyre ishte çështja e procesit të konvertimit të targave, nga i cili deri më tani mbi 4200 qytetarë serbë të Kosovës kanë përfituar prej lehtësimeve financiare të Qeverisë për regjistrimin e veturave me targa RKS”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Hovenier dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme përgjatë gjithë vitit.
“Vit ky që krahas zhvillimit dhe progresit ishte vit sfidues veçanërisht në aspektin e sigurisë për shkak të sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe strukturave kriminale të saj, që u përcoll me tensione, sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, institucioneve vendore e të gazetarëve në katër komuna në veri, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit tonë, dhe sulmi terrorist e paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i policor, tani Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”. /Telegrafi/