Site icon Telegrafi

Kurti takohet me komisionerin Varhelyi: Kosova nuk dëshiron alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka pritur sot në një takim Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

LVV përmes një njoftimi për media bën të ditur se në takim është biseduar për menaxhimin e pandemisë COVID-19, si dhe për zhvillimet e fundit politike, transmeton Telegrafi.

“E informoi për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë gjatë qeverisjes Kurti, shkarkimin e bordeve në përputhje me rekomandimet e auditorit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ashtu siç edhe është potencuar në Raportin për Vendin nga Komisioni Evropian, si dhe për situatën politike në vend”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se Kurti foli edhe për rëndësinë e tregtisë dhe integrimit të Kosovës dhe rajonit në ekonominë globale.

“Megjithëkëtë, sipas sipërmarrësve kosovarë, tre pengesat kryesore që pamundësojnë zhvillimin e tyre janë kërkesa e ulët agregate për shkak të nivelit të lartë të varfërisë, mungesa dhe vështirësitë në qasje në financa, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Andaj, këto duhet ta kenë vëmendjen tonë të pa-kompromis”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, Kurti shtoi se Kosova ka një diasporë që është aset i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, dhe ngjashëm siç ka bërë Polonia e Estonia, duhet të punojë në krijimin kushteve të favorshme që diaspora jonë të investojë këtu e të fillojë kthimi i trurit.

“Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Várhelyi, e njoftoi kryetarin Kurtin për vizitën e tij në Kosovë dhe rajon, dhe e informoi për planin e investimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se projektet për investime janë disenjuar së bashku me qeveritë e Ballkanit Perëndimor dhe fokusohen në transport, energji të pastër e të ripërtërishme, digjitalizim dhe projekte në sistemin arsimor. Vlera totale e këtij plani arrinë në 28 miliardë euro investime në tërë Ballkanin Perëndimor. Ai shtoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar në vend mbetet shqetësues dhe për të ndryshuar situatë duhen rezultate çdo ditë”.

Në fund të komunikatës, thuhet se Kurti ka pohuar se Kosova nuk ka dhe nuk dëshiron alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian, prandaj është e rëndësishme që vendi të ketë një qeveri me legjitimitet qytetar që është e vendosur të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. /Telegrafi/

Exit mobile version