Site icon Telegrafi

Kurti: Takimi me këshilltarin amerikan Sullivan është mbajtur në Shtëpinë e Bardhë – siguria dhe investimet ishin qëllimet e vizitës në SHBA

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mohuar sot zërat se nuk ka qenë për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa njoftoi se takimin me Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan e ka mbajtur pikërisht në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se i ka pasur dy qëllime për vizitën në SHBA, e para investimet në Kosovë dhe e dyta siguria e Kosovës.

“…Unë kam qenë në Shtëpinë e Bardhë dhe takimi që është mbajtur aty ka qenë me Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, që është pikërisht takim në funksion të qëllimit tim tjetër, përveç investimeve në Kosovë, ajo është siguria për Kosovën…. Sullivan është një person i informuar”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Ai gjatë qëndrimit në SHBA ka folur edhe për sigurinë. Sipas tij, në dritën e problemeve që janë në Ballkan, burimi kryesor është Beogradi zyrtar dhe së fundi lidhja e ngushtë me një shtet që ndodhet në luftë, si Rusia dhe agresionit të paligjshëm e paprovokuar në Ukrainë.

Lexo po ashtu Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Sullivan: SHBA mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja

“Kemi kërkuar mbështetje për Programin e Partneritetit të Paqes të NATO-s, që paraqet hapin e parë tejet të rëndësishëm për anëtarësim në NATO. Kemi biseduar për mundësitë që të na ndihmojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kemi biseduar gjithashtu për synimin e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i vendit, raporton Telegrafi.

Kreu i ekzekutivit të vendit bëri të ditur se me Sullivan ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“…Është përmendur edhe dialogu Kosovë-Serbi. Qëndrimi dhe qëllimi është i palëkundshëm, pra Beogradi duhet të ndryshojë dhe dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me qendër njohjen reciproke”, u shpreh ai.

Kurti po ashtu tha se shumicën dërmuese të takimeve i ka pasur me kompani të ndryshme dhe i ka informuar me shanset për investime, duke kërkuar kështu kontributin e tyre përmes përfitimeve të dyanshme. /Telegrafi/

Exit mobile version