Site icon Telegrafi

Kurti takim me ambasadorin gjerman, flasin për përkeqësimin e gjendjes me pandeminë në Kosovë dhe prioritetet e LVV-së

Ambasadori i ri gjerman në Kosovë, Jorn Rohde është pritur sot në takim njoftues nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ekipi i tij, ku diskutuan për gjendjen aktuale shëndetësore në Kosovë dhe po ashtu për prioritetet e LVV-së.

Ambasadori Rohde gjatë këtij takimi ritheksoi se për Gjermaninë luftimi i krimit dhe korrupsionit në Kosovë vazhdon të jetë prioritet, derisa rikonfirmoi mbështetjen e saj në ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë.

Përmes një komunikate për medie, LVV ka njoftuar se Kurti e ka njoftuar ambasadorin Rohde për prioritet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisjes së tij.

“Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin Rohde për prioritet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qeverisjes së tij të cilat krahas zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe sundimit të ligjit, përfshijnë ngritjen e cilësisë së arsimit dhe ndërlidhjen me tregun e punës përmes sistemit dual arsimor që për shembull ka pikërisht Gjermaninë. Në takim u folë edhe për situatën e përkeqësuar shëndetësore në Kosovë, ashtu sikurse edhe për qeverisjen aktuale”, thuhet në këtë komunikatë.

Kurti i uroi ambasadorin Rohde për pozitën e tij të re, dhe shprehu bindjen e palëkundur se bashkëpunimi bilateral mes Kosovës dhe Gjermanisë, jo vetëm se do të vazhdojë trajtën e deritanishme, por do të intensifikohet dhe fuqizohet.

Lideri i LVV-së tha se Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtë me shtetet demokratike që ndajnë vlera të përbashkëta teksa theksoi rëndësinë e partneritetit evropian dhe transatlantik.

Në këtë takim morën pjesë edhe ishin edhe nënkryetari dhe ish ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, anëtari i kryesisë së Lëvizjes dhe ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe këshilltarja Fëllanza Podrimja. /Telegrafi/

Exit mobile version