Site icon Telegrafi

Kurti: Sot nxënësit më pak lexojnë e më shumë kopjojnë, shumë probleme sot janë pasojë e arsimimit të dobët

Foto: Arkiv

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë probleme sot janë pasojë direket e arsimimit të dobët.

Kurti ka thënë se sot të rinjtë më shumë qëndrojnë para ekraneve sesa lexojnë.

“Sa më të rritur nxënësit, aq më pak lexojnë e aq më shumë kopjojnë”, ka shkruar Kurti.

Ish-kryeministri ka kërkuar që ta rikthejmë dijen si vlerë dhe të diturin si autoritet nëse duam të kemi shtet dhe përparim.

Postimi i plotë:

Prindërit nuk lexojnë mjaftueshëm. Bibliotekat publike nëpër komuna dhe ato private nëpër familje janë të varfëra. Mungon kultura dhe shprehia e leximit. Nxënësit i kalojnë mesatarisht afër shtatë orë në ditë para ekraneve të ndryshme, prej të cilave vetëm dy orë për mësim (lexim e kërkime). Shumica e nxënësve nuk arrijnë t’i kujtojnë tre librat e fundit që kanë lexuar. 2/3 e tyre e praktikojnë kopjimin e detyrave dhe referateve nga interneti. Sa më të rritur nxënësit, aq më pak lexojnë e aq më shumë kopjojnë.
Këto janë disa prej të gjeturave nga studimet që trajtojnë lexueshmërinë dhe mësimin në Kosovë. Nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë probleme sot janë pasojë direket e arsimimit të dobët. Nga keqqeverisja lart deri te mjerimi poshtë.
Duhet ta rikthejmë dijen si vlerë dhe të diturin si autoritet. Nëse duam të kemi shtet dhe përparim. /Telegrafi/

Exit mobile version