Telegrafi

Kurti: Sot nderojmë sukseset e grave që kanë arritur historikisht, e luftojmë bashkërisht për më shumë të drejta e barazi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur mbledhjen e sotme të Qeverisë me një urim për gratë në Ditën Ndërkombëtare të tyre, 8 Marsin.

Kurti ka thënë se në ditën ndërkombëtare të grave nderojmë sukseset që ato i kanë arritur historikisht.

“Sot e çdo ditë nderojmë kontributin e grave që nuk janë më, e luftojmë bashkë me gratë e vajzat për më shumë të drejta e barazi. Qeveria jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë barrën e padrejtë3sive që gratë mbajnë mbi supet e tyre”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se prej shtëpisë e deri te institucionet ta bëjmë Kosovën më të barabartë. “Gëzuar 8 Marsi dita ndërkombëtare e gruas”, tha Kurti.

Kurti shtoi se sot nderojmë e kujtojmë edhe kontributin e grave në luftën çlirimtare.

“Po e vazhdojmë procesin e aplikimit për njohke të statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një proces i rëndësishëm për historinë dhe shtetin tonë, dhe një prej parakushteve të ndërtimit të paqes së qëndrueshme në vend”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se nderojmë edhe rolin e pazëvendësueshëm të të mbijetuarve që kanë folur publikisht për rastet e tyre e veçanërisht Vasfije Krasniqit që vazhdon të jetë avokuese e zëshme në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht.

Kryeministri foli edhe për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së.

“Më 5,6 dhe 7 Mars, përkujtuam Epopenë e UÇK-së dhe heroizmin e familjes Jashari. Dje kujtuam Shaban Jasharin edhe si mësues. 7 marsi kjo datë është shprehje e dijes dhe dashurisë për atdheun e artin. Ushtria e dijes dhe ajo e mbrojtjes janë dy momentet e vetëdijes gjithë njerëzore e mbarë kombëtare”, tha Kurti. /Telegrafi/