Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pak para fillimit të festës së paralajmëruar nga kjo parti në Prishtinë ka thënë se që nesër do të vendosë kontakte me Lidhjen Demokratike të Kosovës, rreth formimit të qeverisë së ardhshme.
“Sot nuk do t’i kontaktojë, por qysh nesër do të vendosi kontakte me LDK në mënyrë që me subjektin që ishim në opozitë të kurorëzojmë ndryshimin. Ndërkohë që ndryshimi politik ka ndodhur. Kapja e shtetit të na kujtohet si një ëndërr e shkuar”, ka thënë ndër tjerash Kurti.
Ai është përgjigjur edhe rreth një nga sfidat kryesore që e presin atë, përkatësisht dialogun me Serbinë.
Në këtë drejtim, Kurti ka vlerësuar se dialogu ka qenë sfidë deri më tani për shkak se siç ka thënë ai, “kemi pasur njerëz pa kredibilitet dhe pa kompetencë, dialog i papërgatitur mirë, pa parime”.
“Kemi pasur dialog ku Kosova më shumë ishte temë se sa palë. Do ta udhëheq një dialog që nuk do të jetë në dëm të Kosovës. Dialogu do të shtrohet me pyetjen e duhur, me borxhin që na e ka Serbia, si atë të okupimit, po ashtu edhe të luftës”, ka thënë ndër tjerash Albin Kurti. /Telegrafi/