Site icon Telegrafi

Kurti: S’kemi pse ta vazhdojmë dialogun e ndërprerë me Serbinë

I nominuari për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se me ardhjen e tyre në Qeveri do të bëhet një vlerësim i dialogut Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë më tej se nuk shohin arsye që të vazhdojnë këtë dialog.

“Dialogu tashmë është i ndërprerë, nuk është çështje që Vetëvendosje ta ndërpresë, çështja është se ai tashmë është i ndërprerë”, ka thënë Kurti, gjatë prezantimit të objektivave të tyre për drejtësinë.

“Këtë dialog të ndërprerë nuk duhet ta vazhdojmë”, ka shtuar ai.

Kurti po theksuar se vendi ka nevojë vetëm për dialog me serbët lokalë, pa privilegje dhe pa diskriminim.

“Nuk i shohim ata si serbë por edhe në funksionet e tyre në shoqërinë tonë”.

“Kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës”, ka pohuar Kurti.

Sipas tij dialogu i deritashëm me Beogradin ka qenë asimetrik dhe pa kushte për Serbinë, dhe siç ka thënë rrjedhimisht edhe pa parime.

“Me komision hetimor parlamentar do të hetohet baza, procedura, proceset, korniza që ka dështuar”, ka përfunduar ai.

Kurse kandidatja e Vetëvendosjes për deputet, Albulena Haxhiu ka thënë se kur ata do të vijnë në qeverisje, do ta bëjnë siç ka thënë të ç’kapin sistemin e drejtësisë.

Më pas ka thënë se do ta bëjnë edhe Vettingun – duke shikuar profilin dhe integritetin e secilit gjyqtar dhe prokuror në vend.

“Është për keqardhje që nuk ndahet as 2 përqindëshi i totalit buxhetor, për drejtësinë”, ka thënë Haxhiu.

“Kur të vijmë në qeverisje do të organizojmë hetimin e organizatës ilegale SHIK si dhe rrjetin e veprimtarisë së saj”, ka theksuar Haxhiu para mediave.

“Do ta hetojmë SHIK-un dhe dosjet që kanë pasur dhe të gjitha gjetjet do t’i dorëzohen prokurorisë”, ka shtuar ajo.

Më tej ka pohuar se do të bëjnë edhe hetimin mbi KEK-un dhe PTK-në.

Vetëvendosje në Qeveri, siç ka thënë Haxhiu do të zbardhe edhe vdekjen e aktivistit të tyre Astrit Dehari si dhe vdekjen e policit, Enver Zymberi, pastaj vdekjen e Dafina Zhubit, Ermal Kamberajt, Elvis Pistës dhe të tjera. /Klan Kosova/

Exit mobile version