Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ndërsa sipas tij në Kosovë jetohet keq.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim.
Lexoni të plotë postimin e Kurtit:
Në Kosovë jetohet keq. Janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018. E gjendja mund të jetë veçse e përkeqësuar që prej atëherë.
– Për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim;
– Më shumë se çdo e pesta familje ka probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa, kornizat e dritareve dhe dysheme të kalbur;
– 69.5% nuk mund ta përballojnë një javë pushimi larg shtëpisë;
– 61.3% nuk mund ta përballojnë shujtën me mish, pulë dhe peshk çdo të dytën ditë;
– 47.3% nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro;
– 35.4% nuk kanë kompjuter;
– 40.2% nuk janë në gjendje të përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në mënyrë adekuate;
– 61.3% e kanë barrë të rëndë kthimin e kredisë;
– 78.3% kanë vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale;
– Më shumë se çdo e pesta familje në zonat urbane ka probleme me ndotje, papastërti dhe probleme të tjera mjedisore si: tymi, pluhuri, erëra të pakëndshme ose ujë të ndotur.
Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët. Qeveria sot është kot.
Kemi mungesë të rrjetës sociale që siguron familjet në nevojë dhe kemi tepri të pandemisë që ka dalur nga kontrolli institucional.
Nevojitet model i ri ekonomik i përqendruar te punësimi dhe mjedisi e i mbrojtur nga drejtësia dhe qeverisja e mirë. Pas zgjedhjeve të reja, nis zgjidhja e këtillë. Mbase zgjedhjet po orvaten t’i vonojnë ca, pikërisht pse të gjitha subjektet ua dinë rezultatin atyre”. /Telegrafi/