Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se dy shpërthime për një kohë të shkurtër si ai në Ferizaj sot, janë alarm për autoritetet të cilat duhet të jenë në krye të detyrës në inspektimin e lokaleve.
Kurti përmes një postimi në Facebook, u shpreh se këto ngjarje tragjike të shmangshme nuk mund të quhen fatkeqësi.
Ai uroi që të lënduarit të shërohen sa më shpejt, ndërkaq tha se bashkëndjenë me familjarët e tyre në këto momente.
“Një javë pas shpërthimit të bombolës së gazit në rrugën Prishtinë-Ferizaj, afër një lagjeje private ku mbetën 12 të lënduar, sot morëm lajmin tragjik për shpërthimin e një bombole të ngjashme në Ferizaj, prej ku 15 dërguan për trajtim në QKUK, kurse tre të tjerë në kujdes intensiv. Uroj që të lënduarit të shërohen sa më shpejtë e të kthehen te familjarët e tyre me të cilët bashkëndjej në këto momente. Dy shpërthime për një kohë kaq të shkurtër janë alarm për autoritetet lokale dhe qendrore për t’u vënë në krye të detyrës në inspektimin e lokaleve. Këso ngjarje tragjike që janë të shmangshme nuk mund të quhen thjesht fatkeqësi e nuk do të duhej të ndodhnin. Shteti është mbikëqyrje e mirë”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/