Telegrafi

Kurti shkakton të qeshura në Kuvend teksa shpjegon një nocion në gjermanisht nga Plani Evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkaktuar të qeshura në Kuvend në seancën e enjtes teksa ka përdorur një nocion në gjuhën gjermane.

Derisa po raportonte para deputetëve për Planin Evropian, ai ka bërë një shpjegim të koncepteve që përmenden aty, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, në këtë propozim përmendet nocioni ‘overcome the past’ që në shqip do të thotë ‘kapërce të kaluarën’. Ndërsa, Kurti tutje ka treguar se në origjinal në gjuhën gjermane përmendet nocioni  ‘vergangenheitsbewältigung’.

Lexo po ashtu Kurti tregon se çka përfiton Kosova nga marrëveshja bazë me Serbinë: Vetëm neni 10 është problematik

Por, teksa ka shqiptuar këtë fjali, deputetët kanë filluar të qeshin e kryeministri ka gjetur një zgjidhje tjetër për t’ua shpjeguar këtë nocion. Ai ka lëshuar një audio se si shqiptohet kjo fjali në gjuhën gjermane.

“Nocioni ‘overcome the past’ (shqip: kapërcej të kaluarën) përbën një detyrim për palët që të adresojnë të kaluarën e jo ta harrojnë atë, përndryshe do të titullohej ‘forget the past’ (shqip: harro të kaluarën) ose ‘disregard the past’ (shqip: mosrespektim i të kaluarës). Nocioni ‘overcome the past’ është konceptualisht dhe literalisht në origjinal pra gjermanisht i quajtur ‘vergangenheitsbewältigung’. Meqenëse akcenti im është padyshim jo i duhuri, po ua lëshoj një audio si thuhet kjo fjalë në gjermanisht prej së cilës është marrë koncepti”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/