Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen dhe vajza e tyre Lea, kanë shkuar në Teatrin “Dodona” për ta parë shfaqjen “Liza në botën e çudirave”.
Kreu i Qeverisë i ka publikuar disa fotografi të familjes së tij dhe të shfaqjes, ndërkohë që i ka lëvduar aktorët që japin më të mirë në secilën paraqitje skenike dhe njëherësh ka thënë se duhet të jepet ndihma institucional për t’i përmirësuar kushtet që mungojnë.
“Mbrëmë Lea, mua e Ritën, na dërgoi në teatrin ‘Dodona’ për të parë shfaqjen ‘Liza në botën e çudirave’ të Lewis Caroll, dramatizuar nga Arzana Kraja e me regji të Melihate Qenës”.
“Kur perdet e teatrit ranë ne u futëm në botën e tij. Duke e ndjekur nga pas lepurushin e shfaqjes, çuditeshim bashkë me Lizën. Hera herës provonim t’i ndihmonim asaj në matematikë e në gjetjen e kryeqytetit të Kosovës. Viheshim në siklet nga trysnia mbi Lizën, por edhe gëzoheshim kur ajo triumfonte”.
“Njëmend mungojnë kushtet në këtë teatër, por aty ka aq shumë dashuri për të e pasion në të. Aktorët tanë e bëjnë dhe shfaqin maksimumin e tyre në çdo paraqitje skenike, kurse ne duhet që së paku ta japim ndihmën institucionale. Si prind e di rëndësinë e teatrit, prandaj nuk do e lëmë në harresë”.
“Nuk ka emancipim pa teatër”, është përshkrimi i Kurtit pranë fotografive të publikuara në rrjetet sociale. /Telegrafi/