Site icon Telegrafi

Kurti sërish flet për planin e Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një takim me përfaqësues të shteteve të QUINT-it dhe të Bashkimit Evropian për të diskutuar disa tema, përfshirë hapjen e urës së lumit Ibër në Mitrovicë.

Ai theksoi se hapja e urës do të lehtësonte lëvizjen dhe ndërlidhjen midis pjesëve veriore dhe jugore të qytetit.

“Takimi ynë u zhvillua pikërisht 8 vjet pas marrëveshjes së Brukselit për të njëjtën çështje. Ne do të vazhdojmë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar,” tha Kurti.

Gjatë mbledhjes, ai prezantoi planin gjithëpërfshirës të Qeverisë për hapjen e urës.

Ky plan përfshin teste të stabilitetit infrastrukturor të urës, një vlerësim të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe një rigjallërim vizual të urës me akses për të gjithë.

Kurti shtoi se plani gjithashtu parashikon diskutime të hapura dhe të ndershme me qytetarët dhe grupet e interesit, si dhe një fushatë informuese për të bërë të qarta qëllimet dhe përfitimet e hapjes së urës.

“Ndërmarrja e këtij hapi është e nevojshme për të garantuar që qytetarët të gëzojnë lirinë adekuate të lëvizjes brenda territorit të Kosovës – një e drejtë e njeriut e njohur si nga GJEDNJ ashtu edhe nga Karta e të Drejtave Themelore të BE-së,” theksoi ai.

Kurti e cilësoi urën si një simbol të integrimit dhe gjithëpërfshirjes, që është një punë e përbashkët e Kosovës dhe partnerëve të saj.

Hapja e Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përveç Bashkimit Evropian, është duke u kundërshtuar edhe nga vendet e QUINT-it: SHBA-ja, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe e edhe nga NATO-ja.

Pas takimit rreth një orësh, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ishte i shkurtër në mesazhin që përçoj derisa refuzoi të tregoj për arsyen e kundërshtimit të hapjes së urës që lidh jugun e veriun e Mitrovicës.

“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara së bashku me të Zyrës së BE-së në Kosovë u takuam me kryeministrin Kurti sot për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, tha Hovenier.

Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim./Telegrafi/

Exit mobile version