Site icon Telegrafi

Kurti: Serbia po tenton t’i frikësojë serbët në veri të mos marrin pjesë në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se nuk kanë asnjë informacion për destabilizim të situatës në veri për shkak të zgjedhjeve më 23 prill.

Këto komente Kurti i ka bërë pas vendosjes së gurthemelit të objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Ai është shprehur se Serbia përmes propagandës po tenton t’i frikësojë serbët lokalë në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

Mirëpo, ai u ka bërë thirrje të gjithë serbëve të Kosovës në veri që të dalin në zgjedhje, raporton kp. Kurti ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast, ka kërkuar zbatim të plotë të marrëveshjes bazë me Serbinë.

Krahas zgjedhjeve në veri, Kurti foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjes bazë me Serbinë. Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta detyrojë Serbinë që ta zbatojë ujdinë e dakorduar në Bruksel më 27 shkurt dhe aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në anën tjetër, Kurti tha se ende nuk është themeluar Komisioni i përbashkët mbikëqyrës për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes bazë, pavarësisht se është konsumuar afati i paraparë prej 30 ditësh.

“Përbërja e tij duhet të jetë nga Kosova, ndërmjetësit evropian dhe Serbia. Nuk është ende deri më sot dhe kjo varet kryekëput nga Brukseli. Siç e dini ne nuk kemi juridiksion në Serbi, këtë e kemi në Republikën e Kosovës dhe i përket faktorëve ndërkombëtar që të detyrojnë palët tjetër që të jetë më e përgjegjshme për zbatim.

Qartazi bëhet fjalë për një marrëveshje me gjithë aneksin e saj si pjesë integrale e cila nuk paraqet një tërësi të elementeve por një pako që nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë. Ne jemi zotuar dhe kemi ripërsëritur qëndrimin tonë për zbatim të plotë të kësaj pako, kësaj marrëveshje bazë dhe aneksit përkatës për implementim.

Tash besoj se fjalën e ka Brukseli që të detyrojë Serbinë për këtë. Shpresoj që do të jetë shumë shpejtë i themeluar ky ekip, komision, komitet i përbashkët i cili do të jetë si mekanizëm për zbatim. Pse jo, le të bëhet edhe më herët se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë në Bruksel…Nuk ka Kosova që të bëjë hapin e dytë, para se Brukseli të bëjë hapin e parë. Njëherë ata duhet të na thërrasin që ne të dërgojmë përfaqësuesin, të shohim se kush do të jetë saktë edhe nga pala e tyre dhe në momentin e duhur ne do të themi vendim tonë”, shtoi Kurti.

Exit mobile version