Site icon Telegrafi

Kurti së bashku me gruan dhe vajzën në premierën e filmit “Pa vend” në Festivalin e Filmit në Kanë

(Foto: Twitter/Pa Vend/Displaced)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza, e kanë përcjellë shfaqjen e filmit “Pa vend” të regjisorit Samir Karahoda që është përfshirë në garën për Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë.

“Nga 3.739 filma të metrazhit të shkurtër nga mbarë bota komiteti selektues i Festivalit të Cannes sivjet i ka përzgjedhur 10 sosh. Në mesin e tyre është edhe filmi nga Kosova ‘Pa vend’ i regjisorit Samir Karahoda, i cili sot mori duartrokitje të gjata nga publiku këtu në sallën Debussy në Cannes”.

“Ishte kjo premiera botërore e këtij filmi kurse në fillim të muajit gusht ai do të shfaqet në Festivalin Dokufest në Prizren. Urojmë që nesër mbrëma në ceremoninë përmbyllëse të edicionit 74 kur shpallen fituesit e Palmës së Artë të këtij festivali prestigjioz të ngadhënjejë filmi ynë”.

“Këtu është shfaqur edhe një film tjetër nga Kosova, artistik e i metrazhit të gjatë, ‘Luaneshat e Kodrës’, i regjisores së re Luana Bajrami, i cili garon për Kamerën e Artë”.

“Mbështetja e qeverisë së Kosovës për filmin tonë do të rritet ndjeshëm për vitet në vijim, sepse në këtë fushë arti e kulture po shpërthejnë talentet tona e po na bëjnë krenarë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti në postimin e tij në Instagram. /Telegrafi/

Exit mobile version