Telegrafi

Remonti i bllokut B2 pritet të përfundoj shumë shpejtë, importi i energjisë mjaftë i kushtueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se remonti i bllokut B2 do të përfundoj shumë shpejtë.

Kurti gjatë një konference për medie, duke folur për krizën energjetike në vend, tha se importi i rrymës nga bursat është shumë i kushtueshëm.

“Siç jeni informuar edhe nga Ministria e Ekonomisë, blloku B2 është në remont dhe pritet të përfundoj shumë shpejtë. Arsyeja pse është në remont është se duhet të mënjanohen avaritë. Termocentrali ‘Kosova A’ i ka njësitë e vjetruara, që 60 vjet, e ‘Kosova B’ i ka të vjetra 40 vjet”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, në ditën kur kanë filluar reduktimet, konsumi i energjisë ka qenë për 240MWh më shumë se prodhimi vendor.

“Në ditën kur ka filluar reduktimet, konsumi i energjisë ka qenë 240MWh më shumë se sa prodhimi, ndërsa çmimi në HUPX ka qenë 430 euro për MWh. Importi është shumë i kushtueshëm dhe pa këto masa është i papërballueshëm për në dimër”, shtoi ai.

Po ashtu, Kurti theksoi se luftimi i rasteve të vjedhjes së energjisë do të jetë pika kritike për tejkalimin e krizës.

“Javën e kaluar kemi pasur një bashkëpunim të shtuar me Shqipërinë, përkatësisht KEDS-i me KESH-in, që ka mundësuar zbutjen e reduktimeve. Luftimi i rasteve të vjedhjes së energjisë dhe kursimi i saj do të jetë pika kritike për tejkalimin e krizës të këtij dimri”, ka përfunduar Kurti.

Kujtojmë se nga e hëna e javës së kaluar KEDS kishte filluar reduktimet e energjisë elektrike me nga 2 orë në ditë për çdo 6 orë. /Telegrafi/