Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi të mërkurën në stadiumin e klubit futbollistik serb Crvena Zvezda është shpalosur një slogan me përmbajtje provokuese dhe luftënxitëse ndaj Kosovës.
Kurti ka thënë se Crvena Zvezda dje bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë
“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga Tribunali për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, ka shkruar Kurti në një postim në Tëitter, transmeton Telegrafi.
In 1990 fans of Serbian football club Crvena Zvezda, led by ICTY-indicted Serbian mobster Arkan, rioted against Croatia. For some, this was a spark of the wars that ensued. Yesterday Crvena Zvezda called for the Serbian army to return to 🇽🇰. The calls to violence are incessant. pic.twitter.com/hOXojH7ooi
— Albin Kurti (@albinkurti) July 27, 2023
Tifo-grupi “Delije” i klubit Crvena Zvezda gjatë një ndeshje të mërkurën kanë bërë krijuar përmes koreografisë në tribunë një tank, ndërsa e kanë shoqëruar me një slogan ku shkruhej: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Ndaj këtij veprimi ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se këta tifozë po i përçojnë mesazhet që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk mund ose nuk dëshiron t’i thotë publikisht.
Ky veprim i tifozëve të klubit serb të futbollit, ka ndodhur në minutën e 12-të dhe sekondën e 44-të, duke e ndërlidhur atë me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harulla Çeku, i cili ka thënë se Serbia po mobilizon tifozeri për mesazhe lufte.
Sipas tij, kjo koreografi tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë.
“Grupi i tifozerisë ‘Delije’ mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’. Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Ai tutje ka thënë se kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ka ftuar për marrjen e masave të duhura ndëshkuese.
“Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, ka thënë Çeku. /Telegrafi/