Site icon Telegrafi

Kurti: Qeverisja jonë do të vazhdojë mbështetjen e bizneseve që sjellin zhvillim ekonomik e mirëqenie të punëtorëve në Kosovë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, po vazhdon takimet me qytetarë, ku po kërkon mbështetje edhe për një mandat.

Kurti sot ka bërë një vizitë te kompania Concentrix, kompani kjo e cila ofron shërbime të klientëve në gjuhën gjermane, transmeton Telegrafi.

“Mëngjesin e nisëm në Lakrishtë të Prishtinës për vizitë te kompania Concentrix. Me shtrirje në pesë qytete tjera të Kosovës përveç kryeqytetit, kompania këtë vit do të arrijë numrin prej 3000 të punësuarve. Janë themeluar para dhjetë viteve në vendin tonë dhe ndërkohë janë zgjeruar edhe në tri shtete tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërkaq zyra udhëheqëse e tyre është në Prishtinë”.

“Concentrix ofron shërbime të klientëve në gjuhën gjermane për disa nga kompanitë teknologjike më të mëdha botërore. Takova edhe disa punëtorë shqiptar që kanë jetuar e punuar gjatë jashtë shtetit por janë kthyer në Kosovë për të punuar, fituar e kontribuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai po ashtu shtoi tutje se “Qeverisja jonë do të vazhdojë mbështetjen e bizneseve që sjellin zhvillim ekonomik e mirëqenie të punëtorëve në Republikën e Kosovës”./Telegrafi/

Exit mobile version