Telegrafi

​Kurti: Me qeverinë e re ndryshon qasja ndaj çështjes së personave të pagjetur

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti priti sot në një takim kryetarin e Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi me të cilin bisedoi për çështjen e personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovë.

Kurti tha se në raport dhe dialog me Serbinë çështja e të pagjeturve nuk e ka marrë vëmendjen e duhur dhe se me qeverinë e re kjo do të ndryshojë dhe se dialogu do të jetë i përgatitur mirë e parimor.

Ndërsa, Gashi njoftoi kryetarin Kurti mbi marrëveshjen e bashkëpunimit me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, për shkëmbimin e të dhënave sa i përket kësaj kategorie dhe për ecurinë e grupit punues që merret me çështjen e të pagjeturve.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, rezultuan rreth 6.500 persona të zhdukur. Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi. Sipas autoriteteve kosovare ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur mbi 1.600 persona.