Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës padyshim që mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e Ukrainës.
“Sikurse deri më tani dhe në vijim do të jemi të bashkërenduar me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n”, ka thënë Kurti.
Këto komente Kurti i bëri gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku falënderoj deputetin e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe deputetin e LVV-së, Haki Abazi për qëndrimet e tyre rreth situatës në Ukrainë.
Hoxhaj në seancën e sotme deklaroi se Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të situatës së krijuar në Ukrainë. Ai tha se në rast të nevojës, Kuvendi duhet të miratojë rezolutë për tensionet në kufirin e Ukrainës që mund të përfundojnë me luftë, derisa shtoi edhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.
“Për shkak të historisë, duhet të jemi solidarë me popullin e Ukrainës që po e mbron pavarësinë e vendit të vet. Duhet ndoshta edhe ta miratojmë një rezolutë, e dyta, Ukraina është fronti i parë, e Ballkani i dyti. Ne jemi vija e parë në Ballkan. Qeveria duhet ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën, dhe së treti, nëse SHBA-ja dhe BE-ja vendos sanksione, Qeviera duhet të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse. Ky Kuvend nuk duhet të jetë i shkëputur me atë se çka po ndodhë në Ukrainë”, deklaroi Hoxhaj.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi tha se ky është një moment i krijuar në strategjinë e proklamuar nga Rusia si një rregull i ri i sigurisë në kontinentin e Evropës.
“Pas një seri të fjalimeve dhe thirrjeve të liderëve botëror të vazhdueshme lidhur me rrezikun, presidenti rus ka urdhëruar trupat ruse që të hyjnë në Ukrainën Lindore. Kemi edhe vrasjet e para të ushtarëve ukrainas. Këtij veprimi i ka paraprirë njohja e pavarësisë së dy provincave. Ky është një moment i ri i krijuar në strategjinë e proklamuar nga Rusia për një rregull të ri të sigurisë në kontinentin e Evropës”, ka thënë ai.
Lidhur me situatën në Ukrainë sot ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. MPJD përmes një postimi në Twitter ka shkruar se Kosova qëndron përkrah Ukrainës kundër agresionit të Rusisë.
“Putini po bën edhe një herë luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive në të gjithë Evropën për shumë vite. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet me vendosmëri Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në reagimin e MPJD-së. /Telegrafi/
Kosova 🇽🇰 stands with Ukraine 🇺🇦 against Russia’s outright aggression. Putin is once again waging war against a peaceful democracy. He has been waging hybrid wars against democracies across Europe for many years. The free world must respond to Putin and his proxies with resolve.
— MFA Kosova 🇽🇰 (@MFAKOSOVO) February 22, 2022