Site icon Telegrafi

Kurti: Projekti për shkëmbim territoresh ka dështuar – por ideja nuk ka vdekur

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në takimet me të dërguarin presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi është diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje brenda disa muajsh.

Por, ai tërheq vërejtjen se perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet kur afati kohor vihet përpara përmbajtjes.

Kurti thotë se projekti për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar por ideja ende nuk ka vdekur dhe se qeveria e tij do t’i jap fund asaj.

“Projekti për shkëmbimin territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Më duhet të pranoj se ideja nuk ka vdekur, projekti ka dështuar – ideja nuk ka vdekur. Me qeverinë tonë jo vetëm që projekti i dështuar vuloset, mirëpo vdes edhe një ide e tillë meqenëse nuk mund të shtiremi thua se jemi para një çerek shekulli dhe me lapsa mbi hartë luajmë rolin e (Franjo) Tugjmanit e Millosheviqit teksa ndajnë dhe copëtojnë Bosnjën. Mendoj që ajo kohë ka kaluar, ajo është kohë lufte. Tash jemi në kohë të paqes kur kemi nevojë që sa më shpejt të bëjmë hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.

Më tej, ka thënë se shkëmbimi territorial nga Thaçi quhej korrigjim kufiri me kompromis të dhimbshëm ku veriu është dhuratë e (Aleksandër) Rankoviqit.

“Shkëmbimi territorial në Beograd është quajtur kufizim me shqiptarët, përkufizim me shqiptarët apo siç e thonë ata “razgraniçenje”, që për bindjen time është koncept racist, meqenëse gjithmonë do të ketë në të dy anët e kufirit edhe shqiptarë edhe serbë. Nuk ka kufij të përsosur etnik dhe kërkimi i një përsosmërie të tillë është qasje dhe qëndrim racist. Ndërkaq shkëmbimi territorial në Kosovë nga presidenti ynë quhej korrigjim kufiri me kompromis të dhimbshëm ku veriu është dhuratë e (Aleksandër) Rankoviqit, pra ai kishte një frazë tjetër për shkëmbimin territorial, por koha e monarkëve të mesjetës që e trajtojnë territorin e shtetit sikurse pronë private të tyre që mund ta shkëmbejnë por si një mall të zakonshëm, ka përfunduar. Kosova është Republikë parlamentare dhe demokratike, mban zgjedhje të lira dhe në këto zgjedhje të gjashtë tetorit mund të themi që më parë kishim ironikisht një lloj shkëmbimi të popullsisë ku shumë të rinj tanë fatkeqësisht emigruan për shkak të qeverisë së keqe por edhe shumë nga mërgata u kthyen që të votojnë me gjashtë tetor për ndryshimin e madh që opozita e djeshme të bëhet qeveri e nesërme dhe që këtij ndryshimi e kësaj qeverie të ardhshme t’i prijë Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur ndër të tjera Kurti.

Exit mobile version