Site icon Telegrafi

Kurti priti në takim avokueset e veprimtarisë së Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit

Në përmbyllje të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim avokueset e veprimtarisë së Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta-Vita”.

Në takimin e përbashkët me themeluesen e Qendrës “Jeta Vita”, Nafije Latifi, ushtruesen e detyrës të Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, kryetaren e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi,  Fatmire Mulhaxha Kollçaku, kryetaren e Grupit të Grave Deputete  Tinka Kurti si dhe dekanen e Fakultetit të Filologjisë- avokuese për këtë kauzë, Lindita Rugova, u bisedua për rëndësinë e avokimit dhe bashkëpunimit për këtë kauzë të përbashkët.

“U theksua rëndësia që nismat për vetëdijesim të përgjithshëm për kujdes dhe kontrolla të rregullta që mundësojnë diagnostifikim të hershëm të kancerit të gjirit, të jenë në fokus edhe përtej muajit tetor. Duke falënderuar pjesëmarrëset për punën e çmuar dhe kontributin e dhënë ndër vite në këtë drejtim, kryeministri Kurti tha se rruga më e sigurt për t’i dhënë shancë jetës mbetet përkushtimi i vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Tutje, në njoftim thuhet se u bisedua për disa përmirësime të bëra sa i përket trajtimit dhe të drejtave të pacientëve, ndërsa u vlerësua se shumë punë mbetet për t’u bërë ende.

Janë rreth 400 të prekur të rinj çdo vit në Kosovë, ndërsa është e drejta e tyre që të trajtohen me dinjitet e seriozitet në spitalet publike në Kosovë, u tha në takim. /Telegrafi/

Exit mobile version