Site icon Telegrafi

​Kurti: Prioritet e kemi edukimin e hershëm të fëmijëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se prioritet i ekzekutivit do të jetë edukimi i hershëm i fëmijëve.

Në takimin ndërministror për të drejtat e fëmijëve, ku u lansua programi për vetëdijesimin e publikut për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, Kurti tha se fëmijët dhe të rinjtë do të qëndrojnë në qendër të gjithçka që planifikon qeveria.

“Fëmijët dhe të rinjtë qëndrojnë në qendër të gjithçka që planifikon Qeveria e Kosovës. Ne jemi të përkushtuar të zbatojmë zotime nga plan programi qeverisës në përputhje me zotimet globale për arritjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm. Në funksion të kësaj edhe zbatimi dhe respektimi i të drejtave demokratike të fëmijëve që janë shpallur në konventat për të drejtat e fëmijës. Me qëllim të zbatimit të obligimeve që rrjedhin nga ligjet për mbrojtjen e fëmijës, Qeveria po punon intensivisht në zhvillimin e akteve normative si dhe në marrjen e masave për rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për mbrojtjen e dhunës”, tha ai.

Kreu qeveritar para të pranishmëve tha se përveç arsimimit të fëmijëve, qeveria do të nxitë edhe vetitë speciale të tyre, përmes vatrave kulturore, qendrave sportive dhe klubeve që kanë qëllim zhvillim e hershëm të fëmijëve, raporton kp.

“Prioritet i qeverisjes sonë është edukimi i hershëm, andaj me projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i cili është miratuar në qeveri javë më parë do të fillojë ndërtimi i 50 çerdheve në tërë vendin që fëmijët të kenë kujdesin. Përveç arsimit dhe profesional duhet të nxiten vetitë speciale, duhet të nxiten vatrat kulturore, qendrat sportive dhe klubet që kanë për qëllim zhvillimin e hershëm të fëmijëve”, shtoi ai.

Pas përfundimit të fjalimit të kryeministrit Kurti, mediet u larguan nga salla ku po mbahej takimi ndërministror për të drejtat e fëmijëve.

Exit mobile version