Site icon Telegrafi

Kurti: Prilli, muaji i masakrave dhe i kujtimit, gjithë këto jetë të humbura janë çmimi i paguar për lirinë

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti pas homazheve që bëri në paraditen e së dielës tek varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, nëpërmjet një shkrimi ka kujtuar gjitha masakrat që u kujtuan gjatë muajit prill.

“Prilli-muaji i masakrave dhe i kujtimit”, kështu e ka filluar shkrimin kryeministri Kurti.

Kurti thotë se prilli vazhdon të jetë muaji i përkujtimeve të masakrave, krimeve e gjenocidit që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit dhe se këto masakra janë vazhdimësia e tragjedisë së përjetuar nga populli shqiptar i Kosovës gjatës luftës. Kurti thekson se gjithë këto janë gjaku që nuk falet e dhimbja që nuk ndalet.

Derisa ka renditur gjitha masakrat që u kujtuan vetëm në pjesën e parë të muajit prill, Kurti thotë edhe se gjithë jetët e humbura janë çmimi i paguar për lirinë e pavarësinë e që duhet t’i gëzojnë të gjitha pa dallim.

“Këto ditë, që nga fundjava e kaluar, kujtuam Kaçanikun legjendar, ku ushtarë të UÇK-së në mbrojtje të popullatës civile u përballën me forcat ushtarake e policore të Serbisë në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re. Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku u zgjua i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në mbrojtje të popullatës civile në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, ranë dëshmorë 28 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë datë, nderojmë edhe 32 viktima të luftës të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re”, tha ndër të tjera Kurti.

Exit mobile version