Në shënim të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, mori pjesë në një demonstrim të përgatitjeve dhe aftësive të njësive elite të policisë.
Ai aty pa nga afër pajisjet taktike, mjetet e punës dhe përgatitjet profesionale të njësive elite të Policisë në përballje me çdo rrezik.
Kryeministri Kurti i falënderoi pjesëtarët e policisë për demonstrimin e përgatitjeve profesionale dhe të aftësive të jashtëzakonshme në mbrojtjen e personaliteteve shtetërore dhe në përmballje me turma që mund të synojnë destabilzimin e vendit tonë e të rendit kushtetues e juridik.
“Sot me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës ne jemi krenarë që ju kemi juve për punën e shërbimin që keni bërë, për kontributin që keni dhënë deri në sakrificë, e ku para së gjithash e mbi të gjitha kujtojmë e përkujtojmë 23 heronjtë e Kosovës nga radhët e policisë tonë”, tha kryeministri, duke shtuar se ky demonstrim i të gjitha njësive të specializuara të policisë sonë që nga mbrojtja e afërt e deri te Njësiti K9, padyshim që e ngjallë besueshmërinë tek të gjithë njerëzit dhe e rritë atë për të gjithë ata të cilët tashmë e kanë pasur.
Kryeministri Kurti tha se Policia e Kosovës është më e afta, më e disiplinuara dhe më profesionalija jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Duke shprehur mirënjohjen e përzemërt dhe falënderimin e thellë, kryeministri Kurti u uroi edhe një një herë të gjithë pjesëtarëve të policisë 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës, Saranda Bogujevci, dhe drejtues dhe përfaqësues tjerë institucionalë.