Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar ushtarin ukrainas, Ihor Kinal që u vra 14-vjet më parë nga gjatë një aksioni në veri të Kosovës, e që protestuesit të cilët sulmuan policët ishin nga radhët e strukturale paralele serbe.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se teksa përkujtojnë dhe nderojnë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, uron që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksoi admirimin dhe solidaritetin me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus.
Lexoni të plotë postimin:
In Memoriam
Sot u mbushën 14 vjet nga vdekja e Ihor Kinal. Ai ishte polic nga Ukraina që po shërbente në Kosovë.
Një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës u uzurpuan nga rreth 300 protestues të armatosur serbë. Për lirimin e këtyre objekteve, kishin ndërhyrë forcat ndërkombëtare të KFOR-it dhe të UNMIK-ut.
Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Më 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra me 17 mars.
Ai la pas nënën, babain dhe motrën, dhe varri i tij sot ndodhet në afërsi të qytetit Ternopil, në një fshat në perëndim të Ukrainës. Në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Grupe kriminale të strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë kryen sulmin më 17 mars 2008. Ky rast më vonë është trajtuar edhe nga EULEX-i i cili pat ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve: Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Aleksandar Aksentijeviq, Nebojsha Joviq dhe Avni Krasniqi.
Teksa përkujtojmë dhe nderojmë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, urojmë që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus. /Telegrafi/