Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për përgatitjen e mbajtjeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Kurti tha se kushdo që synon të cenoj të drejtën e votimit të lirshëm do të përballet me forcën e ligjit nga institucionet tona.
“Pluralizmi politik dhe e drejta e votimit lirshëm dhe pa pengesa të komunitetit serb janë të domosdoshme. Kushdo që vijon të cenoj këtë të drejtë themelore nuk ka çfarë të pres tjetër përveçse përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit”, tha Kurti.
Ai më tej shtoi se si institucione ofrojnë siguri për qytetarët pa dallim.
“Unë jam i bindur në bazë të organeve dhe institucioneve tona shtetërore që unë besoj fuqishëm se janë duke i ofruar t gjitha kushtet dhe masat që të bëhet mbarëvajtja e këtij procesi. U bëjë thirrje qytetarëve në katër komunat në veri që të dalin dhe të votojnë lirshëm për kandidatët për kryetar”, tha Kurti.
Kryeministri këto deklarata i bëri pasi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi e pyeti se bazuar në rrethanat aktuale a mundësohet mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në veri.
Kurti më tej shtoi se Qeveria e Kosovës në proceset zgjedhore është në shërbim të KQZ dhe kësisoj i përgjigjen kërkesave të tyre.
“Konfrom obligimeve kemi marrë veprimet e duhura në mbështetje të KQZ, kemi venë në dispozicion mekanizmat institucional dhe burime te nevojshme për përgatitjen dhe organizimin e duhur të zgjedhjeve në veri. Ministrit e linjës dhe institucionet tjera përgjegjëse janë në koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm me KQZ për të përmbushur kërkesat që dalin nga ky proces”, tha Kurti. /Telegrafi/