Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në të cilën thuhet se euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.
Kurti në një deklaratë për media sot tha se këtë muaj do të intensifikohet fushata e informimit.
“Do ta intensifikojmë fushatën tonë informuese, komunikuese me të gjithë ata që e kanë kuptuar ose edhe kanë nevojë ta ri-dëgjojnë që dinari në Kosovë nuk po ndalohet, mirëpo nuk lejohet si mjet pagese, Kosova e ka euron”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se “BQK si institucion i pavarur, e ka marrë vendimin”.
Kurti po ashtu theksoi se “alarmimi që vjen me idenë e përhapjes së panikut vjen nga Beogradi, ne bëjmë informimin e drejtë, e kemi një periudhë tranzitore në kuptimin që nuk dëshirojmë të ndëshkojmë ata që kanë ende dinar, por dëshirojmë që të formalizojmë e institucionalizojmë financat në vendin tonë, qarkullimi financiar duhet të jetë në euro, prandaj edhe do ta kemi këtë fushatë e cila besoj se po i jep rezultatet e saj”, tha Kurti.
Ai tha më tej se BQK i ka shkruar letër Bankës Kombëtare të Serbisë dhe se janë duke pritur për një përgjigje.
“Këtë muaj do ta intensifikojmë fushatën tonë të informimit. Nuk është qëllimi im të ndëshkojmë askënd që i kanë qëlluar dinarët, mirëpo duhet të bëhet konvertimi në euro. BQK i ka shkruar letër Bankës Kombëtare të Serbisë, dhe besoj që ata duhet të kthejnë përgjigje”, tha Kurti. /Telegrafi/