Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë vizitës në Gjilan ka folur edhe për çështjen e propozimit të mandatarit për formimin e Qeverisë.
Kurti ka thënë se si Qeveri janë të përkushtuar në luftimin e pandemisë së coronavirusit dhe se nuk duhet shpërqendruar me tema tjera, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, nëse institucionet shpërqendrohen në fronte të tjera do të humbet lufta kundër pandemisë.
“Të mos shpërqendrohemi nga temat e tjera ku prioritet është shëndeti i qytetarëve dhe parandalimi i përhapjes së pandemisë. Nuk kemi kohë për të humbur me çështjet e ping-pongut politikë”, tha Kurti.
Ai shtoi se tash janë të angazhuar maksimalisht në luftimin e pandemisë dhe nëse do të shpërqendroheshim në temat tjera do të dobësoheshin.
Kurti deklaroi se sot do të ketë takim online të kabinetit qeveritar dhe se për këtë takim është informuar edhe kryetari Haziri nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ku do të diskutohet për vazhdimin e masave.
“Sot do të kemi një takim në qeveri, takim online. Lidhur se si do të vazhdojmë me masat në vijim në mënyrë që të kemi kufizim të lëvizjes sepse lëvizja e qytetarëve është lëvizje e virusit”, tha Kurti. /Telegrafi/