Telegrafi

Kurti për ministrin Rakiq: Nuk mori pjesë në protestën e qytetarëve serbë, ishte atje për të mos lejuar që situata të eskalojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për prezencën e ministrit Goran Rakiq në pikën kufitare në Jarinjë në ditën kur u vendos reciprociteti me Serbinë për targat e automjeteve.

Kurti ka thënë se ministri Rakiq ishte atje për tu përpjekur që të mos eskalojë situata.

“Kam qenë në kontakt me ministrin Rakiq, natyrisht që kemi dallime mes vete, por nuk mund të ankohem për komunikimin dhe bashkëpunimin me të sepse është i rregullt. Nuk e kam përshtypjen që ministri i Qeverisë së Kosovës ka shkuar te pikat 1 dhe 31 për të marrë pjesë në protestës , të organizojë të tjerët ose të eskaloj situatën. Me aq sa jam informuar unë dhe sa më ka informuar ministri, besoj që është përpjekur që situata të mos eskalojë të mos ketë veprime të dhunshme dhe nuk mendoj se duhet të marrë masa ndaj tij”, tha Kurti.

Kryeministri u pyet edhe për marrëveshjet tjera me Serbinë dhe se kur ju skadon afati.

“Nuk i di të gjitha ato marrëveshje se çfarë afate kanë pas. Numri i marrëveshjeve varion nga 15-53”, tha Kurti. /Telegrafi/