Site icon Telegrafi

Kurti për masakrën e Studimes së Vushtrrisë: Nuk ka drejtësi për viktimat, nuk ka dënim për kriminelët

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në 20 vjetorin e masakrës së Studimes në Vushtrri ka thënë se ende nuk ka drejtësi për viktimat dhe nuk ka dënim për kriminelët, transmeton Telegrafi.

I pari i VV-së, në shkrimin e bërë në Facebook ka theksuar se nuk duhet të ketë paragjykime për serbët, por duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë.

Lexo po ashtu 20 vjet nga masakra e Studimes së Vushtrrisë

“Bastisje, plaçkitje, ekzekutim. 116 shqiptarë vriten për dy orë. Çdo minutë dikush vdiste në Studime të Vushtrrisë më 2 maj 1999. Burra e gra, pleq e fëmijë. Nga Azemine Vërsheci, 71 vjeçare, e Bejtë Ferizi, 84 vjeçar, deri te Mexhit S. Gërgjaliu, 11 vjeç”, shkruan Kurti në Facebook.

Shkrimi i plotë i Albin Kurtit:

Bastisje, plaçkitje, ekzekutim. 116 shqiptarë vriten për dy orë. Çdo minutë dikush vdiste në Studime të Vushtrrisë më 2 maj 1999. Burra e gra, pleq e fëmijë. Nga Azemine Vërsheci, 71 vjeçare, e Bejtë Ferizi, 84 vjeçar, deri te Mexhit S. Gërgjaliu, 11 vjeç.

Operacioni i madh “Patkoi” me të cilin Kosova po spastrohej nga shqiptarët, përbëhej nga shumë ‘patkojë’ të vegjël, e një i tillë ishte edhe ky në Vushtrri. Fshatrat viheshin nën rrethim, njerëzit dëboheshin nga shtëpitë e tyre, ua merrnin gjësendet me vlerë, sidomos paratë e kursimeve dhe arin e nuseve, dhe i drejtonin për Shqipëri, për t’ua prerë rrugën pas pak eskadronet policore dhe militare që i pushkatonin këta refugjatë.

20 vjet më vonë nuk ka drejtësi për viktimat, nuk ka dënim për kriminelët, nuk ka as prehje e kompensim për familjarët e mbetur, nuk ka as pendesë e kërkimfalje nga pushteti në Beograd ku mbeten të njëjtit.

Sigurisht që nuk duhet të ketë paragjykime për serbët, por sigurisht që duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë. Që plagët e të mbijetuarve të shërohen, që brezit të ardhshëm të mos i bartet trauma, që ardhmëria të jetë e sigurt për të gjithë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version