Site icon Telegrafi

Kurti për letrën dërguar Mike Pence: Nuk i jam ankuar për askënd, ka shumë njerëz që kanë problem me qenien time

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas dhurimit të gjakut në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, ka folur për letrën drejtuar zëvendës presidentit të SHBA-ve, Mike Pence.

Kurti ka thënë se në këtë letër nuk i është ankuar për ambasadorin Richard Grenell. Ai ka shtuar se në këtë letër ka shprehur vetëm pikëpamjet e tij, duke thënë se ka pasur shumë keqinformim për punën e tij si politikan dhe Qeverisë së tij.

“Ajo është një letër kah mesi i muajit prill. Në muajin shkurt, mars, prill kam shkruar shumë letra të gjithë krerëve institucional në SHBA por edhe në BE. Bëhet fjalë për një letër e cila është gati një muaj e vjetër. Në këtë letër i falënderoj për përkrahjen që na kanë dhënë dhe shpreh zotimin tim që do të vazhdojë përkushtimi ynë për marrëdhënie të mira me SHBA. Nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Grenell, por kam shprehur pikëpamjet e mia për dialogun”, ka thënë Kurti, shkruan Telegrafi.

Lexo po ashtu Thaçi për letrën e Kurtit drejtuar Mike Pence: Le t'i shkruan kujtdo, SHBA-të e njohin realitetin në Kosovë shumë mirë

Ai ka shtuar se ka shumë persona që kanë probleme me qenien e tij më shumë sesa me qëndrimet.

“Pasi ka shumë keqinformim për Qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, kam shprehur pikëpamjet e mia që të mos ketë keqkuptim. Ka shumë akter që merren me keqinformim për mua, dhe nuk dua të merrem me të gjithë ta. Nuk kanë problem vetëm me qëndrimet e mija, kanë problem me qenien time politike. Unë s’kam inat me askënd nuk e urrej askënd, e dua vendin tim”, u shpreh Kurti.

Kurti ka folur edhe për Samitin e Zagrebit ku tha se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të bëhet..

“Duhet të marrë fund diskriminimi që i është bërë Kosovës”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version