Telegrafi

Kurti për kërkesën e SBASHK-ut: Kërcënimet e shantazhet i dua kaq para çdo muaj, nuk pranohen

Kryeministri Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për grevat në arsim dhe në sektorin publik, ka thënë se nuk ka munguar asnjëherë diskutimi mes Qeverisë dhe
sindikatave.

“Me sindikatat kemi pasur takime e komunikim të vazhdueshëm janë zhvilluar mbi 30 takime në mes Qeverisë e sindikatave, Me krerët e SBASHK-ut takohet ministrja e Arsimit, me krerët e BSPK-së jam takuar unë. Takimin e fundit që pata ishte me Këshillin Grevist, dhe është zhvilluar me iniciativë timen”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se nuk është problemi te mungesa e komunikimit, por ka një mospajtim themelor mes Qeverisë dhe sindikatave.

“Nuk është problemi te mungesa e komunikimit apo te arroganca, por kemi një mospajtim themelor sepse unë jam i bindur se në këtë krizë duhet të dalim përmes pakos që e mundëson përballjen me inflacion e jo përmes kërkesave partikulare derisa të votohet Projektligji për pagat”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se nuk janë të pranueshme kërcënimet apo shantazhet në këtë rast.

“Nuk mund të thuhet që ne i mirëmbajmë në mënyrë të ligjshme financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ia plotësojmë kërkesën që ti japim një shtesë të caktuar derisa të votohet. Projektligji për paga. Përballje me inflacion po, mirëpo kërcënim apo shantazh i dua kaq para për çdo muaj derisa të kalon Projektligji nuk bënë. Ai 50 euro është më i madh sesa përqindja e rritjes ekonomike kur përkthehet në pagën e mësimdhënësit”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se i kanë marrë për bazë të gjitha kërkesat dhe janë përpjekur t’i akomodojmë në projektligjin që është në diskutim publik.

Kryeministri shtoi se nuk është e çuditshme që opozita po e mbështet grevën.

“Po shihet komplet opozita e mbështet grevën, dhe për bindjen time nuk është e rastësishme që bartës i këtij mocioni është deputeti me shurdhues”, tha Kurti. /Telegrafi/