Site icon Telegrafi

Kurti për diasporën: Ju nuk na sillni vetëm para, por edhe ide e kulturë

Kreu dhe njëherit  kandidati për kryemnistër i LVV-së Albin Kurti, ka premtuar se diasporën do ta integrojnë brenda shtetit të Kosovës.

Kurti ka thënë se duhet të vazhdojë kontributi i mërgatës për zhvillimin e ekonomik të Kosovës.

“Ju nuk na sillni vetëm para. Ju sillni ide, kulturë e shkathtësi që i merrni nga vendet më të zhvilluara e nuk i kemi në vendin tonë”, ka thënë Kurti, në një tubim në Gjermani.

“Entuziazmi i parë është përdorur për kthimin e refugjatëve në vatrat e tyre dhe rindërtimin e shtëpive të djegura, shkatërruara apo të dëmtuara nga Serbia. Entuziazmi i dytë, i shpalljes së pavarësisë, është shprehur në njohjet e më pastajme ndërkombëtare dhe gjithashtu në iniciativat e ndryshme ekonomike. Entuziazmi i tretë duhet të jetë entuziazëm për zhvillim ekonomik të qytetarëve të Republikës, të diasporës mbarë, sepse ju jeni jashtë shtetit e brenda kombit, e tash, me këtë entuziazmin e tretë e posaçërisht të vërtetë, do të mbeteni brenda kombit e do t’ju risjellim edhe brenda shtetit”, ka premtuar Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes ka premtuar se votuesve të diasporës do t’ua mundësojë të votojnë në ambasada e jo më postë.

“Tjetra, mundësimi i votës së lirë: jemi në gjendje të themi se e drejta e votës për mërgimtarët do të garantohet. Mjaft më me posta që arrijnë e s’arrijnë, me zarfe që komplikojnë e vonojnë. Do të votohet në ambasada, në konsullata, në përfaqësitë tona diplomatike”, ka premtuar ai.

Exit mobile version