Kandidati për kryeministër, Albin Kurti i cili fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë ka folur për dialogun me Serbinë.
Kreu i LVV-së edhe një herë ka përsëritur se nuk do të kenë prioritet dialogun me Serbinë.
Ai pas publikimit të rezultateve preliminare, në një konferencë me Vjosa Osmanin tha se prioritet do të kenë drejtësinë dhe punësimin.
Kurti: Nuk do ta kemi prioritet ne formimin e ekipit të dialogut me Serbinë
(Video)
“Nuk do ta kemi prioritet ne formimin e ekipit të dialogut me Serbinë. Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë herë është në vendin e gjashtë, herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, neve ju përgjigjemi atyre qytetarëve. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, ka deklaruar ai.
Nga 87.57 për qind e votave të numëruara deri më tash nga KQZ-ja, partia e Albin Kurtit prin me 47.83 për qind ose 326.717 vota. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 17.50 për qind ose 111.381 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 13.36 për qind ose 91.278, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e katërta 7.43 për qind ose 50.743, Nisma Socialdemokrate 2.73 për qind ose 18.631.