Pasi kryeministri i vendit, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti nuk shkoi sot në takimin e liderëve të partive politike të ftuar nga presidentja, Vjosa Osmani për të diskutuar për datën e zgjedhjeve, kjo e fundit tha se mediat duhet ta pyesin vet atë.
Osmani po ashtu sqaroi se pse nuk mori pjesë nënkryetari i kësaj partie Glauk Konjufca në takimin e liderëve të partive politike.
“Nuk e kam parë që dikush e ka quajtur bojkot mospjesëmarrjen e kryetarit të LVV-së. Siç e dini secili ka qenë i ftuar në nivel të kryetarëve të partive. Më duhet ta them që nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca ka shprehur gatishmëri të plotë që të vijë sot, mirëpo meqë të gjitha partitë kanë qenë të informuar që ky takim konsultativ është vetëm për nivel të kryetarëve, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë. Dhe ai me mirëkuptim e ka zbatuar. Sot nuk ka qenë kryetari i LVV-së dhe mund ta pyesni atë drejtpërdrejtë, besoj që është në zyrën e tij”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një deklaratë për Telegrafin tha se kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. /Telegrafi/