Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ngushëlluar familjen e Nexhmije Pagarushës të cilët kanë hapur dyert në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Kurti është shënuar në librin e kujtimeve dhe ka thënë se Nexhmije Pagarusha ishte bilbili i vetëm dhe se nuk mund të përfytyrojë një tjetër pas saj.
Pasi ngushëlloi familjen dhe të afërmit e këngëtares tashmë të ndejë, shefi i ekzekutivit tha se Nexhmije Pagarusha nuk mund të harrohet asnjëherë.
“Për të tjerët duhet të zotohemi se nuk do t’i harrojmë, bilbilin tonë as nuk duam as nuk mund ta harrojmë, do të na këndojë në mendje për aq sa do të na rrahin zemrat neve”, tha Kurti.
Kurti tregoi se është takuar disa herë me Nexhmije Pagarushën në këto tre vitet e fundit kur ajo nuk gëzonte shëndet të mirë.
Megjithatë, sipas Kurti, ajo ishte çdoherë entuziaste dhe e buzëqeshur.
“E kam vizituar disa herë jam takuar disa herë, posaçërisht i mbaj mend takimet e fundit në tre vitet e fundit kur ajo nuk ishte mirë me shëndet mirëpo buzëqeshja entuziazmi i saj mbijetonte e çdo situatë dhe na vinte në siklet edhe ne që ishim shumë më të ri se ajo. Zëri dhe përformanca janë të ngulitura thellë në mëndje që nga fëmijëria ime. Ne nuk kemi pasur Nexhmije para këtij bilbili, dhe në nuk mund ta përfytyroj një bilbil tjetër pas Nexhmijes”, tha Kurti.
Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha do të varroset nesër.
Prej orës 09:00 deri në orën 11:00 do të bëhen homazhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për të vazhduar pastaj me mbledhje komemorative pas taj kortezhi me arkivolin e saj do të kalojë nga teatri deri të sheshi “Zahir Pajaziti”.
Bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha ka ndërruar jetë dje në moshën 86 vjeçare.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe, ka vendosur që ditën e varrimit të saj, 9 shkurt, ta shpallë ditë zie shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës.